Mema: Shumë herët për të folur për dorëheqje, tani duhej të ishim të parët

Ardian Mema ka bërë të qartë se nuk e mendon dorëheqjen nga Tirana edhe pse në ditët e fundit është vënë në diskutim pankina e tij. Duke folur para gazetarëve, trajneri i bardhebluve pranoi se situata nuk ishte optimale, por ai vazhdonte të ndjente se kishte skuadrën pas tij.

“Vazhdoj të jem te Tirana, pavarësisht lajmit të disa portaleve për klikime. Ecuria e skuadrës nuk është më e mira dhe kjo ka nxitur shumë zëra. Prandaj edhe presidenti erdhi sot pranë skuadrës për të konfirmuar ata që thashë.

Askush nuk më ka kërkuar të largohem dhe vazhdoj punën, pasi jemi ende brenda objektivave. Natyrisht që jam disi i zhgënjyer, sepse tani duhej të kishim 15 apo 16 pikë dhe të renditeshim të parët.

A e kam menduar dorëheqjen? Natyrisht që çdo trajner në kokën e tij i mendon ndonjëherë këto gjëra, e mendon nëse janë kushtet për të vazhduar punën e tij. Është shumë herët për të folur për dorëheqje. Nuk është se ma ka kërkuar kush. Megjithatë unë e ndjej që ekipin e kam në krah dhe mund të vazhdojmë drejt objektivave. Është e qartë se puna e çdo trajneri matet me rezultatet dhe ato i  largojnë”, ishin fjalët e Memës. /vipsport.al/