Mema: Mos më pyesni për dorëheqjen, Tirana rikthehet te fitorja me Laçin

Në prag të sfidës me Laçin, mjaft e rëndësishme për Tiranën e cila starton nesër në orën 17:00 në “Selman Stërmasi” ka folur trajneri i skuadrës së Tiranës, Ardian Mema. Mema vlerëson kundërshtarin, por jepe dhe detaje se si ai dhe skuadra e kanë përgatitur këtë sfidë shtëpie…“Si fillim po flas për veten, jo se nuk më intereson kundërshtari, por dëshiroj të flas për veten time. Ndeshjet e fundit kanë sjellë disi presione në skuadër  aq më tepër te unë, nuk flas në emër të skuadrës, por në emrin tim. Kjo më ve mua disi në presion, sepse pretendohet që ndeshjet e Tiranës të fitohen, duke qenë se këtë vit është ekip elitar. E rëndësishme është që të fitohen ndeshjet. Ekipi ka luajtur shumë mirë, nuk ka pasur probleme tekniko-fizike dhe tekniko taktike. Thjesht nuk na ka ndihmuar edhe fati sepse, po t’i shikosh të tria ndeshjet që kemi lënë pikë. Kjo mendoj që ka ardhur nga kërkesa që ka një klub si Tirana për të mos lënë pikë në asnjë ndeshje. Megjithatë unë fajësoj fatin, pasi ekipi realisht ka luajtur mirë”, – tha Mema fillimisht.

Ndeshjet e fundit

I pyetur për javët e fundit në kampionat, Mema është ndalur dhe ka pohuar: “Ndonjëherë çdo njeri mendon edhe të mirën, edhe të keqen. Po flas si teknik, ekipi është shprehur goxha mirë në fushë. Me një anë të keqe mendore, dhe kur ke presion, nuk ndodh që të administrosh topin, të krijosh raste. Ndoshta edhe humbja e rasteve, apo kërkimi me çdo lloj forme, duke sakrifikuar gjithmonë, lojtarët nuk janë as të fokusuar para porte. Kjo mund ta ketë futur ekipin në presion, duke qenë gjithmonë primar rezultati, sepse në fund për këtë paguhemi”.

Laçi

Thuajse në javët e fundit është diskutuar për largimin apo shkarkimin e Memës nga stoli bardheblu. Trajneri thotë se nuk mendon për veten, më shumë se sa për skuadrën: “Kjo pyetje më është bërë që pas ndeshjes me Kukësin, pasi ekipi pësoi humbjen e parë. Ndoshta te ky klub, gjërat bëhen pak tragjike. Ka edhe një të drejtë, edhe unë do kërkoja me insistim që Tirana të fitonte ndeshjet e të shpallej kampion. Kjo është pjesa që në klub janë nervozë, si edhe tifozët. Janë mësuar që gjithmonë të jenë me trego. Kjo është parë këtë vit, duke parë edhe se kemi qenë në vendin e parë. Janë lojtarë të spikatur në Shqipëri, dhe pritshmëritë janë të larta. Nëse do i marrim gjërat me qetësi dhe kujdes, ndodh që një klub ka një projekt, dhe unë e mendoj se projekti duhet çuar deri në fund. Pjesa tjetër, ku që ndeshjen e parë apo të dytë, ku diskutohet direkt kjo pyetje, do i bëjë dëm të gjithëve, edhe futbollistëve. Ndonjëherë jemi mundur edhe për gabime foshnjarake. Unë shoh lojën si teknik, kjo më intereson, si luan ekipi. Edhe po të luante keq dhe të fitonim në fund, do më interesonte”.

Starova apo Cungu

I pyetur, nëse në këtë sfidë do të donte në stol Sulejman Starovën si koleg kundërshtar, trajneri i bardhebluve, Mema ka thënë: “Nuk do thosha me Starovën apo dikë tjetër, por Laçi kishte një lloj fizionomie te loja e vet, dhe pak a shumë e dinim mirë. Sula e ka drejtuar Laçin që vjet, dhe e dimë si luajnë. Por, dimë edhe si luan Cungu. Do e kishim më të thjeshtë për ta përgatitur ndeshjen me Sulën. Çdo trajner i ri, ka edhe kërkesat e veta të reja. Do e kemi më të vështirë me Cungun nesër. Jo se ndryshon ana profesionale e tyre, por se dinim stilin e lojës”.

Ernest Muçi

Në ndeshjen që ka luajtur skuadra kuqezi U-19, ai që ka spikatur, padyshim ka qenë Ernest Muçi, lojtari që ka dalë nga moshat e Tiranës dhe që ka një rritje të dukshme. Madje, sulmuesi dy ditë më parë kërkoi më shumë aktivizim nga trajneri Mema. I pyetur sot në konferencë, Mema tha se: “Jam munduar t’i jap minuta Nestit. Ndeshjen e fundit me Flamurtarit nuk i dhashë minuta, por pjesën dërrmuese të ndeshjeve, e kam futur nga stoli. A duhet klubi apo unë t’i japim më shumë minuta?! Kjo është e drejtë. Edhe vjet jam munduar që ta fus. Kemi qenë edhe në situata të vështira për rënien nga kategoria. Mund ta fillojë edhe nga formacioni. Mendoj se gradualisht, duke marrë nga pak minuta, do bëhet lojtar formacioni, dhe të mos dalë më. Duke qenë se pikët janë me rëndësi, shpeshherë nisemi edhe me emocionet e pikëve, dhe t’i shohim gjërat me qetësi. Muçi nuk ka nevojë për përkrahjen time, sepse shumë shpejt do jetë pjesë e lojës. Ai duhet të bëjë përpjekje më të mëdha, që të na e mbushë mendjen që të jetë pjesë e formacionit”.

Orari

“Normalisht është orar i duhur në 17:00 sepse është edhe më freskët, ka më tepër oksigjen. Luhet më shpejt. Dreka është disi problematike. Ndeshjet e ardhshme do i kemi në orën 1. Nuk është një orë që ka ritëm loja. Bie ritmi nga dielli, nga koha. Me lojtarët themi që koha apo dielli, është njësoj për të dyja, edhe fusha”.

E.S./Vipsport.al/