Mema: Dunga e meritoi, duhet të vijë goli i sigurisë që ta shoh ndeshjen i qetë

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, mendon se vetëm goli i sigurisë mund ta bëjë të qetësohet në pankinë në ndeshje të cilat skuadra e tij nuk arrin t’i mbyllë deri në fund. Në SuperSport ai theksoi se skuadra kishte bërë mirë, por duhej të shfrytëzonte më shumë rastet para portës.

“Mbas rezultateve jo pozitive kjo ishte gjëja më e mirë që të fitonim tre pikë e të kthenim entuziazmin. Në një klub që ka pretendime për titull, ndodhin edhe këto. Më pëlqeu mënyra se si reaguam edhe pse nuk funksionoi çdo gjë ashtu siç e planifikuam.

Duhet të vijë goli i sigurisë që të shoh edhe unë ndeshjen i qetë, se e kam edhe unë ndeshjen me stres, sidomos pjesa e fundit. Ekipi ka luftuar dhe ka arritur rezultate, por nuk duhet të ndodhë gjithmonë kështu, se duhet të bësh golin e sigurisë se ai të jep garancinë e qetësinë. Shpresoj ta kem në ndeshjet e ardhshme.

Janë disa gjëra të brendshme që jo gjithmonë gazetarët i dinë, besoj se Dunga e ka merituar për të luajtur, ka qenë zgjedhja ime dhe ka bërë rolin e vet. Ndaj dyfishuam pozicionet në merkato, për të parë se si mund të vepronim në kampionat. Them se ka vend për të gjithë, kampionati është i gjatë, edhe Torasa ka pasur dëmtime të vazhdueshme dhe asnjëherë nuk mund të ndash mendjen që një lojtar të qëndrojë në stol. Kjo është pjesë shumë e rëndësishme, dyfishimi i pozicioneve. Kur vjen momenti i dikujt, duhet të jetë gati ta kapë e mos e ndryshojë më vendin në ekip. Mendoj që lojtarët që e kanë merituar do luajnë prapë në formacion.

Laçi është ndër ekipet e forta, edhe Teuta e Gjirokastra, ne në shtesë në barazoi Flamurtari. Në këto ndeshje që në letër janë të nivelit të dytë, duhet përqendrim maksimal. Ndërsa në të fortat episodet e zgjidhin dhe duhet të kemi kujdes në fazën defensive se nga kjo kemi vuajtur. Mendoj se duhet të përgatit ekipin për ndeshjen e radhës për t’iu kthyer serisë së fitoreve”, tha Mema. /vipsport.al/