“Mbylla sytë dhe godita”, rastësia e çuditshme e autorit të golit të Leçes me teknikun Pioli

Debutimi i trajnerit Stefano Pioli nuk shkoi sipas parashikimeve. Tekniku nuk arriti t’i kthejë kuqezinjtë në rrugën e fitoreve, teksa përballë Leçes në ‘San Siro’ u ndalën në barazimin 2-2. Por, ai që prishi festën e parë për Piolin, ka pasur një precedent edhe më parë me trajnerin 54-vjeçar.

Bëhet fjalë për Kalderonin që shënoi golin e barazimit për të tijtë në minutat shtesë të pjesës së dytë. Kjo nuk është hera e parë për këtë lojtar që lidhet drejtpërdrejt me fatin e Piolit. 10 vite më parë po i njëjti lojtar, dhuroi një kontribut të çmuar për Piolin teksa shënoi një prej golave në triumfin 3-1 të Piançencës ndaj Pizës.

Piançenca në atë kohë drejtohej nga Pioli dhe Kalderonin ishte nën urdhrat e tij. Kështu, karriera e teknikut aktual të kuqezinjve u kryqëzua sërish me të njëjtin lojtar, i cili këtë herë nuk e gëzoi por e dëshpëroi në debutim ish-teknikun e tij. Mbase kjo do të jetë thjesht rastësia, ndërsa edhe pas ndeshjes Kalderoni u shpreh se: “ mbylla sytë dhe godita”. /Egi Çabeli-VipSport.al/