Mbrojtësi i Erzenit, Teqja: Kthesa nisi me Burrelin, mbetemi pretendentë kryesorë

Erzeni iu rikthye fitores pas ndeshjes me Burrelin, të cilin e mundi me rezultatin 4-0. Në fakt, skuadra shijakase, në këtë merkato vere ka qenë mjaft aktive, duke afruar futbollistë cilësorë nga tregu vendas dhe ai i huaj. Një nga lojtarët kryesore të skuadrës është edhe mbrojtësi Marjo Teqja, i cili me eksperiencën e tij ka pohuar se skuadra do të jetë shumë shpejt aty ku e meriton.

Kthesa

Sipas Teqjes, kthesa ka ardhur me Burrelin dhe ekipi do të jetë një nga pretendentët kryesorë për Superioren. ja çfarë thotë mbrojtësi në prononcimin për “Vipsport”. “Më vjen mirë që skuadra është rikthyer te fitorja. Jemi një grup solid dhe me lojtarë cilësorë. Natyrisht që ndeshjet e para sjellin edhe rezultate befasuese, por Erzeni ka qenë një skuadër që ka bërë merkato cilësore, ashtu sikurse edhe faza përgatitore ka qenë mjaft e mirë”.

Ecuria

“Unë kam besim se në ndeshjet në vijim ekipi do të fitojë stabilitet sepse ka kualitete dhe lojtarë me eksperiencë në gjirin e vete që kanë spikatur në Kategorinë e Parë. Kam besim se ne do të jemi një ekip solid, duke filluar që nga ndeshja e radhës”.

Konkurrenca

Marjo Teqja e njeh mirë Kategorinë e Parë dhe ai ka besim dhe është i bindur se ekipi edhe pse bën pjesë në një grup të fortë do të tregojë vlerat e veta. “Në Grupin A konkurrenca është e madhe. Janë ekipe me shumë traditë që kanë qenë në Superiore dhe kanë lënë gjurmë nder vite. Ne do të marrim ndeshjet një e nga një, duke grumbulluar maksimumin e pikëve. Besoj se kështu do të dimë që të jemi mes pretendentëve deri në fund”, – tha Teqja.

E.S./Vipsport.al/