Marantas: Luftëtari s’ka probleme financiare, disa lojtarë thyejnë rregullat e klubit

Skuadra gjirokastrite duket se po përjeton një situatë të vështirë financiare, por edhe me mungesa titullarësh në ndeshjen ndaj Bylisit. Trajneri Marantas thotë se ekipi ka rritje dhe se nuk ka probleme financiare, e madje nuk ka pasur as bojkot për shkak të financave. “Nuk ka bojkot, madje për të qenë të sinqertë vonuam nisjen e stërvitjes për shkak se zhvilluam një analizë prej 60-të minutave. Ka disa lojtarë që ende nuk përshtaten siç duhet me rregullat e klubit dhe jam marrë edhe me ta”.

Situata

“Në këto momente, Bylisi është një ekip shumë i mirë dhe është në krye. Madje e shoh edhe më të favorizuar se ne, ashtu siç kam thënë edhe për kundërshtarët që ne jemi ndeshur sepse dihet si ka nisur ky sezon për Luftëtarin. Gjithsesi, ne duhet që të zbatojmë detyrat taktike në fushë nëse duam që ta kalojmë me sukses këtë sfidë”.

Kontigjenti

Marantas flet edhe për situatën me lojtarët, mungesat e shpeshta nga pezullimet me kartonë apo dhe dëmtimet: “Është e vërtetë që në ndeshje kam ndryshuar shpesh. Na mungon portieri Paiteris, por luan portieri tjetër që ka bërë mirë në takimet e fundit. Besoj se skuadra po merr formë. Unë mundohem që t’u marrë maksimumin lojtarëve që kam në dispozicion. Në ndeshjen e radhës na duhet ë të bëjmë shumë kujdes, sepse kundërshtari i radhës vjen me “oreks” në Gjirokastër”, – tha trajneri Jorgos Marantas i Luftëtarit.

E.Saliu/Vipsport.al/