Lotito nuk harron lehtë: Humbëm Champions prej De Vraj, unë nuk do ta lija të luante

Ka kaluar një vit e gjysmë, por Klaudio Lotito nuk e harron lehtë mundësinë që i iku nga duart për të parë përsëri Lacion e tij në Ligën e Kampioneve falë një humbje përballë Interit në javën e fundit të Serisë A. Presidenti i Lacios i është kthyer përsëri sot asaj ndeshje dhe ka shprehur bindjen e tij se mbrojtësi Stefan De Vraj, i cili kishte akord me zikaltërit që para mbylljes së kampionatit, nuk duhej të kishte luajtur atë ndeshje, duke e cilësuar fajtor për humbjen.

“Përgjegjësia e asaj ndeshje me Interin është e të gjithëve por mbi të gjitha e imja pasi lejova të hidhej në fushë De Vraj”, tha presidenti i Lacios në një intervistë të dhënë për “Correre Dello Sport”.

“Duhej të kisha ndërhyrë unë. Tani kam njëfarë moshe që më lejon të bëj disa arsyetime të caktuara. Unë nuk do ta kisha lënë të luante, ndeshjen e humbëm për faj të De Vraj. Stafi më tha si ai ishte një profesionist i madh. Unë nga ana ime kisha thënë që nuk duhej të luante. Po nuk detyrova askënd të zbatonte udhëzimin”, tha presidenti i Lacios duke iu kthyer ndeshjes së famshme që u mbyll me shifrat 2-3 për Interin me përmbysje e ku holandezi shkaktoi një penallti. /.vipsport.al/