Lici: Nuk është në kulturën shkodrane të hedhësh shishe, i vetmi klub me kontrata të deklaruara saktë

Aministratori i Vllaznisë, Suad Lici është shprehur se ndeshja ndaj Partizanit është e rëndësishme për mbarëvajtjen e kampionatit dhe jo deçizive. Në prononcimin për Supersport, Lici theksoi se tifozët nuk duhet të hedhin shishe pasi kjo nuk është në kulturën shkodrane.

“Është një punë e bërë prej muajsh nga të gjithë me mbështetjen që na kanë dhënë. Kemi bërë start pozitiv dhe sot do të jetë ndeshje e rëndësishme për mbarëvajtjen e kampionatit por jo ndeshje deçizive.

Tifozët? Mendoj se kemi punuar edhe pas masës që morëm nga Disiplina dhe kemi bërë apel që nuk është në kulturën e Shkodrës të hedhësh shishe. Kemi bërë apel dhe pritet një ndeshje e bukur sepse shkodrani bën më shumë një vlerësim për lojën.

Sa i përket premios, sporti më ka dhënë shumë dhe ky që jam sot jam falë sportit. Mendoj se jo vetëm unë, por çdo qytetar kemi detyrim të çojmë Vllazninë aty ky duhet. Na është miratuar një fond nga Këshilli Bashkiak dhe të marrin rrugën e zgjidhjes. Privatizimi është i Këshillit Bashkiak dhe do të ishte mirë të kalonte në dorë të privatit. E kemi hequr fokusin nga vlera monetare dhe jemi i vetmi klub me kontrata të deklaruara saktë. Do të dalë ligji i sportit dhe kur të dalë shpresoj që Vllaznia do të ketë shumë sponsorë.

Titulli kampion? Ne vijmë nga Kategoria e Parë dhe duhet të rrimë me këmbë në tokë. Ndeshje pas ndeshje duhet të tregojmë vlerat tona por kam besim te puna dhe skuadra”, tha Lici.