Lëvizja që bën lëmsh merkaton në Europë, Atletiko siguron një “po” nga Kavani

E ardhmja e Edinson Kavanit është në Spanjë, në radhët e Atletiko Madrid. Për këtë janë të sigurt në Francë, ku bëjnë të ditur se sulmuesi uruguaian ka arritur një akord me madrilenët për t’u vënë nën urdhrat e Diego Simeones në të ardhmen.

Sipas “Le10Sport”, sulmuesi i PSG-së i cili është në vitin e tij të fundit të kontratës me PSG, ka siguruar që tani skuadrën ku do të vazhdojë karrierën e tij dhe negociatat mes palëve janë mbyllur në mënyrë të suksesshme. Në fakt, PSG duket se aprovon dhe po shtyn që lojtari të transferohet që në janar, në mënyrë që të përfitojë diçka financiarisht nga ai, por Atletiko nuk dëshiron të shpenzojë pasi pret ta sigurojë me parametër zero në verë.

Një lëvizje kjo e cila padyshim do të krijojë një efekt domino në merkato në Europë. PSG pritet që si fillim të mbyllë sa më shpejt qëndrimin e Mauro Ikardit, duke blerë përfundimisht kartonin e argjentinasit i cili duket se bind drejtuesit. Ndërkohë, me mbërritjen e Kavanit të Atletiko, nuk do të ketë vend për një nga sulmuesit aktual të skuadrës dhe Diego Kosta apo Alvaro Morata do të kërkonin një sistemim tjetër në një nga klubet elitare në kontinent. /vipsport.al/