La Kombëtaren që të bëhej gati për klubin, kapiteni Mavraj luan 90 minuta

Ditët e Mërgim Mavrajt me kombëtaren shqiptare të futbollit po vijën drejt fundit dhe kjo duket qartësisht nga fakti se futbollisti tashmë po vë si prioritet klubin para fanellës kuqezi, edhe pse mban në krah shiritin e kapitenit. Futbollisti vendosi t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale në dorë për një problem dhe nuk mori pjesë në grumbullim me Kombëtaren… që të ishte i gatshëm për klubin Grojter Fyrth në rifillimin e kampionatit.

Mbrojtësi sot ka luajtur 90 minuta pa asnjë problem në sfidën që skuadra e tij fitoi përballë Dinamo Dresden, duke u paraqitur mjaft mirë në sfidën e javës së 10 të Bundesligës 2. Një sinjal se dëmtimi nuk kishte qenë dhe aq shumë problematik dhe ndoshta në rrethana të tjera, Mavraj do të kishte bërë këtë ndërhyrje për të qenë gati brenda javës për përfaqësuesen shqiptare e cila pikërisht një javë më parë luante kualifikimin e Europianit në Turqi.

Por që pas ndeshjes së humbur kundër Francës dhe me qëndrimin në pankinë ndaj Islandës, kuotat e Mavrajt në rreshtimin e kuqezinjve kanë rënë ndjeshëm dhe futbollisti 33-vjeçar duket tashmë i fokusuar te karriera me klubin e tij. Duke llogaritur dështimet e njëpasnjëshme te Hamburg, Aris dhe Ingolashtad, për Mavrajn është e rëndësishme që të mbyllë sa më mirë këtë edicion me klubin i cili synon pozitat e larta në renditjen e Bundesligës 2 dhe për momentin, qartësisht kombëtarja ka kaluar në plan të dytë. /vipsport.al/