Kundërshtari nuk fiton në shtëpi prej 2013, Shqipëria mendon vetëm suksesin me Moldavinë

Kombëtarja e Shqipërisë do të zbresë ditën e sotme në fushë për ndeshjen e dytë kualifikuese të muajit tetor, ku përballë do të jetë Moldavia. Kuqezinjtë kërkojnë të hedhin pas krahëve atë humbje zhgënjyese në minutat e fundit përballë Turqisë. Edhe pse shpresat për një kualifikimin janë shuar, të besuarit e trajnerit Edi Reja do të mendojnë të rrëmbejnë vetëm tre pikët, për të shpresuar në vendin e tretë në grup. Kuqezinjtë arritën të triumfonin 2-0 në ndeshjen e parë shtëpiake ndaj Moldavisë. Ndërkohë, edhe statistikat janë në anën e Shqipërisë.

Moldavia humbet prej katër ndeshjesh radhazi dhe në asnjërën prej tyre nuk ka arritur të shënojë. Kundërshtarët e Shqipërisë kanë fituar vetëm pesë ndeshje ndërkombëtare dhe këto kanë ardhur vetëm me kundërshtarë si Andorra apo San Marino. Duke përjashtuar këto dy skuadra, Moldavia nuk fiton një ndeshje ndërkombëtare prej Majit të vitit 2014, ndërsa nuk regjistron një sukses në shtëpi prej tetorit të vitit 2013. Në pesë nga gjashtë ndeshje të grupit, Moldavia është mundur që në pjesën e parë. Në të vetmin rast që nuk ndodhi kështu, ishte në ndeshjen me Shqipërinë.

Kuqezinjtë nga ana tjetër, kanë barazuar vetëm në tre nga 37 ndeshje ndërkombëtare, teksa kanë fituar 13 dhe janë mposhtur në 21 raste. 11 nga 15 fitoret e mëparshme ndërkombëtare ka ardhur duke mos pësuar gol. Duke u theksuar sa e rëndësishme është të mos gjendet në disavantazh. Hera e fundit që shmangën humbjen duke përmbysur një gol ishte në ndeshjen miqësore të Majit 2016 përballë Katarit, 3-1. Ndërkohë, një statistikë negative regjistrohet për ndeshjet jashtë fushe, ku Shqipëria ka humbur në pesë nga gjashtë transfertat e fundit, duke mos shënuar në katër prej tyre.  /Egi Çabeli-VipSport.al/