Kumbulla, Strakosha e Manaj. Kohë vlerësimesh nga Reja: Uroj por nuk besoj që UEFA të dënojë Turqinë

Trajneri i përfaqëueses shqiptare, Edi Reja, nuk mendon se UEFA do të kthejë në garë për kualifikimin Shqipërinë duke dënuar përfaqësuesen turke për nderimin ushtarak. Në një intervistë të dhënë për “Radio Sportiva” në Itali, trajneri i Shqipërisë ka shprehur mendimin e tij, ashtu si edhe faktin se ka shumë besim te grupi që ka krijuar, duke përmendur edhe paraqitjet e emrave të veçantë.

“Ne na shkoi keq në Turqi, pasi në minutën ë 90 humbëm ndeshjen për një budallallëk, por kemi treguar se jemi një skuadër në gjendje që të luajë si e barabartë me të gjithë. Po rritemi dhe është një kombëtare që ka disa limite, por grupi funksionon dhe kemi mbështetjen e publikut shiptar. M’u desh të ndryshoja shumë duke aktivizuar shumë të rinj, bëra të debutonte edhe Kumbulla të Veronës dhe në perspektivë mund të krijohet një skuadër e bukur, edhe pse fatkeqësisht Europiani iku.

Kumbulla ka zgjedhur Shqipërinë pasi është i lidhur me këtë vend, ka bërë të gjitha kombëtaret e moshave dhe ishin edhe prindërit e tij ta shihnin. M’u duk e çuditshme që Italia nuk e kishte parë, ndoshta edhe e kanë kërkuar por ai e kishte bërë zgjedhjen e tij.

Rreth Strakoshës duhet të bëj disa vlerësime, kemi edhe Berishën ndaj jam i mbuluar shumë mirë në këtë pozicion. Është e vështirë të bësh zgjedhje, unë i kam vendosur të luajnë të dy, pastaj në fund të këtij cikli do të bëjmë disa vlerësime.

Pas ndeshjes me Turqinë pame skuadrën të rreshtohej me përshëndetjen ushtarake, u çuditëm pak. Janë gjeste që duhen censuruar por përkundrazi ata e kanë bërë përsëri ndaj Francës,. Shpresoj që UEFA të marrë masa kundër Turqisë, ndoshta do të na kthente në garë për kualifikimin. Por përtej shpresave egoiste, nuk mendoj se shkojnë përtej gjobës së përhershme.

Manaj po kthehet, më kishin thënë që është pak kokënxehtë, por po shquhet për impenjimin e madh dhe jam çuditur pozitivisht. Atij i kërkoj sakrificë në fushë dhe e bën në vazhdimësi ndaj jam i lumtur. Shpresojmë që të vazhdojë kështu e të rritet pasi është 22-vjeç”, ishin fjalët e trajnerit të kuqezinjve. /vipsport.al/