Kosova për të vazhduar ëndrrën e kualifikimit, Dardanët presin në shtëpi Malin e Zi

Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë në mbrëmjen e sotme në orën 20:45 ndeshjen e radhës për kualifikueset e Euro 2020, përballë Malit të Zi. Dardanët nuk kanë rezultat tjetër përveç fitores, në mënyrë që të vazhdojnë të jenë pretendentë për vendin e dytë në grup, pozicion që të kualifikon në europian. Punët në grup janë vështirësuar disi pas atij triumfi të Çekisë përballë Anglisë, teksa Kosova gjendet katër pikë larg vendit të dytë.

Megjithatë, një trepikësh është jetik sot, në mënyrë për të tentuar fitoren më pas në ndeshjen vendimtare përballë Çekisë në transfertë. Edhe statistikat duket sikur ndihmojnë Kosovën, teksa Mali i Zi nuk ka fituar në tre ndeshjet e fundit kompetitive jashtë fushe, dhe kanë fituar në vetëm një prej 12 transfertave të fundit në kualifikueset e europianit, duke barazuar tre dhe humbur shtatë. Në shtatë prej këtyre disfatave, Mali i Zi nuk ia ka dalë të gjejë rrugën e rrjetës.

Kosova dallohet si një skuadër që e gjen e para rrugën e rrjetës dhe kjo ka ndodhur në katër nga pesë përballjet e fundit ku kanë marrë tre fitore, një barazim dhe një humbje. Ndërkohë, Dardanët kanë një përqindje të mirë edhe me golat në pjesën e dytë, teksa në tre ndeshjet e fundit kompetitive ia kanë dalë të shënojnë më shumë se kundërshtari, edhe kur përballë kishin Anglinë. Mbetet për t’u parë se si do të rrjedhë ndeshja, por Kosova ka detyrimin për të kërkuar maksimumin, për të ndjekur ëndrrën e kualifikimit.  /Egi Çabeli-VipSport.al/