Kosova i besohet gjyqtarëve të Superiores, arbitra ndërkombëtarë në ndeshjen e “Dardanëve”

Kosova do të zbresë në fushë ditën e nesërme, aty ku do të përballet në miqësore me skuadrën modeste të Gjibraltarit. Skuadra dardane, synon të provojë veten në një miqësore të lehtë në letër, para ndeshjes zyrtare që luan pas pak ditësh përballë Malit të Zi në Prishtinë.

Ndërkohë, për këtë takim janë përcaktuar edhe gjyqtarët dhe bëhet fjalë për gjyqtarë nga Kategoria Superiore. Kryesor, do të jetë Juxhin Xhaja i cili do të ndihmohet nga dy asistentët Nertil Bregasi dhe Ilir Tartaraj. Ndërkohë, gjyqtari i katërt në këtë ndeshje do të jetë gjyqtari nga kampionati i Kosovës, Besfort Kasumi.

Kosova luan ditën e nesërme në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke filluar nga ora 18:00 dhe duke parë kundërshtarin që ka përballë, pritet që tekniku Shaland të provojë elementë të rinj titullarë pasi pas pak ditësh luhet ndeshja ndaj Malit të Zi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/