Konfirmohet dëmtimi serioz i Sançez, kiliani ka pak shanse t’i shpëtojë sallës së operacionit

Aleksis Sançez ka qenë shumë i pafat në këtë fillim sezoni teksa i grumbulluar me Kombëtaren e Kilit ka pësuar një lëndim në kaviljen e majtë. Në miqësoren e luajtur ndaj Kolumbisë, një ndërhyrje nga Kuadrado provokoi dëmtimin. Sulmuesi sapo kishte lënë pas një dëmtim të vjetër dhe ishte entuziast për të rifituar formën dhe më pas për t’u shndërruar në një titullar të Interit.

Megjithatë, tashmë çdo gjë duket e lënë përgjysmë, pasi analizat më të detajuara në ditën e sotme kanë evidentuar se dëmtimi në kavilje është serioz.

Sançez do të udhëtojë nesër me destinacion Barcelonën për një vlerësim të fundit të gjendjes. Megjithatë, kiliani do ta ketë të vështirë t’i shpëtojë ndërhyrjes kirurgjikale. Sa i përket kohës së rikuperimit, ky vit mund të quhet i mbyllur pasi lojtari pritet të mungojë për tre muaj.