Kombëtarja U-19 / Trajneri Dede: Po punojmë për perspektivën, Polonia kundërshtar real për forcat tona!

Trajneri i Kombëtares U-19, Nevil Dede, pasi ka shpallur listën, ku bien në sy edhe disa emra që janë pjesë e ekipeve të elitës sonë dhe jo vetëm, në prag të sfidës me Poloninë duket mjaft optimist. Dede ndër të tjera, në prononcimin që ka dhënë për “Rtshsport”, ka pohuar se: “Realisht që Polonia është testi real për ne. Jemi në një gjendje shumë të mirë dhe mendoj se është në nivelin e kundërshtarëve që ne kemi në grup, si të Greqisë, Belgjikës dhe Islandës. Neve na vjen në momentin e duhur ky kundërshtar dhe besoj që të bëjmë diçka të mirë dhe të shohim realisht se deri ku kemi arritur me punën që ne kemi bërë në 8-9 muaj me këtë grup lojtarësh”, – tha fillimisht Nevil Dede.

Synimet

Kombëtarja U-19 bën pjesë në një grup mjaft të vështirë. Ndeshja e parë luhet në  Belgjikë dhe kualifikimi duket mjaft i vështirë, por Dede ka besim se me këtë skuadër do të zhvillojë lojëra të bukura, e natyrisht që do të kërkojë edhe rezultate pozitive në takimet zyrtare. “Do të ishte ideale që nëse ne arrijmë edhe rezultatet e nëntorit në një periudhë kaq të shkurtër kohe. Kemi shumë lojtarë që janë të datëlindjes 2001 që janë shumë të talentuar. Kemi edhe lojtarë te Kombëtarja U-21 e Alban Bushit. Shpresojmë shumë që ata të jenë pjesë e jona të paktën për aktivitet zyrtare, ndonëse edhe aty ku janë janë pjesë e rëndësishme e skuadrës ku aderojnë”.

Perspektiva

Nevil Dede, ka një karrierë të gjatë si trajner, e madje duke trajnuar ekipe të njohura, jo vetëm në Kategorinë e Parë, por edhe në Superiore, e natyrisht që di t’i nuhasë elementët e rinj. Këtë e ka bërë kur ka drejtuar Tiranën apo dhe Luftëtarin… “Shpresojmë që me këta djem të talentuar, ne të mendojmë për të ardhmen, jo vetëm të U-19, por edhe të U-21 dhe të Kombëtares”, – tha trajneri i përfaqësueses U-19, Nevil Dede.

E.Saliu/Vipsport.al/