Klop kundër mediave: Bota është një cirk dhe ne jemi në qendër të tij

Liverpuli i Jurgen Klop cilësohet nga të gjithë si favoriti kryesor për fituar titullin në Angli pas starti që i ka bërë sezonit e padyshim mes pretendentëve për të përsëritur suksesin e edicionit të kaluar në Ligën e Kampioneve. Por Jurgen Klop nuk e sheh njëlloj me mediat mbivlerësimin që i është bërë skuadrës së tij para ndeshjes me rivalët historikë të Mançester Junajtid të cilët po kalojnë një periudhë shumë negative.

Dy ditë më parë në “Sky Sport”, ish-futbollisti Deni Mills ndërtoi formacionin ideal të dy skuadrave bashkë dhe në të nuk kishte asnjë futbollist të Mançester Junajtid, duke thënë se titullarët që kishte Solskjaer, do ta kishin të vështirë edhe të gjenin një vend në stol te Liverpulit.

“Në “Sky” keni bërë një 11-she të kombinuar dhe ishin të gjithë të Liverpulit. Kjo është si një shaka, si të hedhësh një lëkure bananeje. Bota për momentin është si një cirk dhe ne jemi në qendër të tij. Nuk influencohem, jam 100% i sigurt për forcën që ka Mançester Junajtid”, ishin fjalët e Klop në konferencën për shtyp.

Ai vuri në dyshim edhe mosaktivizmin te “djajtë e kuq” të De Gea dhe Pogba, për të cilët u raportua se do mungonin në këtë duel. “Dje për ta u tha se nuk ka asnjë shans, sot është ndoshta, nesër ka një shans! Ata thanë se ne jemi kundërshtari perfekt për të filluar kthesën, ne duhet të bëjmë maksimumin t’i lëmë të kuptojnë se gabohen dhe nëse duan të bëjnë kthesën, ta fillojnë një javë më vonë”, tha Klop. /vipsport.al/