Keidi Bare: Sadiku është një sulmues që po na ndihmon shumë, fitorja ishte detyrim

Malaga arriti të merrte një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, duke mundur me rezultatin 0-2 Real Sociedadin. Protagonist ishte Armando Sadiku duke shënuar golin e dytë për skuadrën e tij, ndërkohë që sulmuesi ka marrë elozhe edhe nga Keidi Bare që e ka shok skuadre në Spanjë.

“Kemi bërë një ndeshje të mirë dhe luajtëm më mirë se kundërshtari. Ishte koha të fitonim dhe pas paraqitjeve jo të mira më vjen mirë që u rikthyem te fitorja. Kishim shumë raste të pastra dhe duhet të shënonim por ky është futbolli dhe shpresoj që kjo fitore të sjellë edhe shumë të tjera. Nuk e kuptoj pse nuk kemi rezultat, ndoshta fati i keq ose nuk jemi gjakftohtë por rëndësi ka që sot fituam.

Sadiku është shumë i mirë dhe megjithëse kishte dy raste të pastra, janë gjëra që ndodhin. Ai ka shënuar një gol shumë të rëndësishëm dhe sulmuesit jetojnë për këtë. Po na ndihmon shumë. Kur fitojmë jemi të gjithë të lumtur dhe tani po presim me entuziazëm ndeshjen ndaj Oviedos dhe duhet të fitojmë”. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories