Karabeci bën diplomatin: Nuk i dihet nëse mund të ndihmoja ekipin po të më aktivizonin më parë

Erando Karabeci është kthyer përsëri në fushën e lojës për Tiranën, duke luajtur me bardheblutë në kampionat pas një kohe të gjatë si pasojë e dëmtimeve. Edhe pse futbollisti ishte riaftësuar, në ndeshjet e kaluara ai ishte lënë jashtë rreshtimit. Por në “SuperSport” ai bëri të qartë se aktivizimi i tij ndoshta nuk do të kishte ndikuar në formën dhe rezultatet e ekipit.

“Sinqerisht që e shijova sepse fituam dhe u bë kohë e gjatë prej 5 muajsh që nuk luaj 90 minuta. jam i gëzuar, ekipi u shpreh mirë dhe bëmë pjesë të parë shumë të mirë duke mos i lënë hapësira. Pjesa e dytë nuk ishte aq e mirë por kundërshtari ka minutat e veta por kështu është futbolli. Jemi të lumtur që morëm këto pikë dhe duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, të ulim kokën dhe të punojmë pa u fryrë shumë por duke punuar dhe parë para.

Fizikisht ndjehem shumë mirë se ka kohë që kam punuar veç, me përgatitësin atletik. Siç e dini nuk është njëlloj si të stërvitesh, vraposh e të luash në ndeshje se ndeshja ka ritëm tjetër, ka kontakte e dyluftime që ka diçka tjetër. Që të arrija formën duheshin minuta që i kam marrë në miqësore e Kupë, që më kanë ndihmuar të shprehem në nivelin e pritshëm. Nuk jam në 100% por me kalimin e kohës mendoj se mund të kap formën maksimale. Ndoshta stafi ka menduar që të mos rrezikoj meqë nuk kam qenë në 100%. Me eksperiencën që kam ndoshta mund ta ndihmoja edhe më parë skuadrën e ndoshta jo, nuk i dihet, por jam i lumtur që u ktheva dhe ndihmoj ekipin si në ndeshjen e sotme”, tha Karabeci. /vipsport.al/