Kapiteni i U 21, Kallaku: Kualiteti jonë më i lartë se i Kosovës, vëllezër jemi pas ndeshjes

Së bashku me trajnerin Alban Bushi, i pranishëm në konferencën për shtyp ishte edhe kapiteni i ekipit Shpresa, Sherif Kallaku. Mesfushori, i cili aktivizohet me Teutën në Kategorinë Superiore, u shpreh se skuadra kuqezi ka më shumë kualitet se Kosova dhe se në fushë nuk do të futen me mendimin se është një vëllazërore, por një derbi për t’u fituar. Vetëm pas ndeshjes situata mund të jetë vëllazërore.

“Kalova një dëmtim njëmujor dhe tani të jem realist nuk mendoj se ndihem në formën time optimale, pasi kam shumë për të dhënë. Gjithsesi ndihem shumë mirë për ta luajtur këtë ndeshje dhe për të bërë një paraqitje të mirë.

Ecuria e Kosovës? Siç e tha edhe profesori, ata kanë më shumë pikë se ne. Dua të theksoj se kualiteti tek ne është pak më i madh se tek ata. Kemi punuar mirë në stërvitje dhe do ta përballojmë këtë ndeshje. Duhet ta shikojmë thjesht si një ndeshje të radhës, që duhet të marrim tre pikët. Për ne është detyrim. Lideri skuadrës? Të gjithë, të 11 lojtarët, jemi lider. Nuk është se jam vetëm unë lider.

Kosova një derbi apo vëllazërore? Normalisht mund të quhet ndeshje vëllazërore, por janë kualifikuese dhe janë detyrim tre pikët. Nuk do futemi si në një ndeshje vëllazërore, por për ta fituar. Normalisht që është një derbi. Është një derbi ku gjëra të tipit “jemi vëllezër” nuk vlejnë brenda 90 minutave. Pas ndeshjes jemi vëllezër dhe rrimë së bashku”,u shpreh Kallaku.