Kamza e kthen në festë triumfin në kampionat, përshëndet edhe trajnerin që largohet për në Kinë

Klubi i Kamzës është detyruar të rinisë nga Kategoria e Dytë këtë sezon pas dënimit për ngjarjet e dhunshme ndaj arbitrit Eldorian Hamitaj. Mes vështirësive për ekzistencë, klubi gjithsesi ka nisur kampionatin, ndërsa këtë fundjavë morën edhe triumfin e parë pas tre javëve të para.

Kamza ia doli të mposhte skuadrën e Spartakut me rezultatin 2-1. Pas peripecive të ndryshme para fillimit të sezonit, fitorja entuziazmoi ekipin, që pas ndeshjes shpërtheu në festë. Ndërkohë, kjo ishte edhe mënyra më e mirë për futbollistët që përshëndetën trajnerin e tyre Ergys Luga.

Kjo pasi ai, do të niset për një eksperiencë të rëndësishme në Kinë, teksa do të marrë drejtimin e të rinjve të Shenzenit. Ekipin e parë të kësaj skuadre e drejton italiani i famshëm, Roberto Donadoni dhe kjo aventurë mund t’i shërbejë shumë teknikut Luga për t’u rritur edhe më shumë profesionalisht.  /Egi Çabeli-VipSport.al/