Ish-futbollisti i Real, kritika për mbrojtësin e Junajtid: Edhe në futbollin amator ka futbollistë më të mirë

Rafael Van Der Vard ka pak kohë që është tërhequr nga futbolli, ndërsa tashmë është në rolin e opinionistit. Ish-futbollisti i Real Madrid ka dhënë vlerësimin e tij mbi ndeshjen e Mançester Junajtid ndaj Liverpul, ndërsa është ndalur veçanërisht te mbrojtësi i ‘Djajve të Kuq’, Herri Mekguajër, i cili është mbrojtësi më i shtrenjtë në histori duke ia kaluar Virxhil Van Dajk.

Mbi këtë temë, holandezi ka pasur kritika të forta teksa është shprehur se edhe në futbollin amator mund të gjej futbollistë më të mirë se ai. “ Nëse zgjohem të dielën në mëngjes dhe shkoj për të parë një ndeshje mes amatorëve, mund të gjej tre lojtarë më të zotë se Mekguajër.

Dhe e kam seriozisht. E di që mund të duket e çuditshme, por nuk e thotë askush. Po flasim për një lojtar që është transferuar për 90 milionë euro. Nëse Mekguajër kushton 90 milionë euro, atëherë Van Dajk kushton 300”, tha Van Der Vart.