Inter dhe Milan duhet të presin, Bajern i mbyll derën Tomas Mylerit

Okazioni i papritur që u shfaq në horizont për dy skuadrat e Milanos, Tomas Myler, duket se nuk do të jetë i tillë. Si Milani, ashtu edhe Interi ishin interesuar menjëherë për sulmuesin gjerman i cili kishte shfaqur pakënaqësi rreth mosaktivizimit të rregullt te Bajern Mynih dhe kishte lënë të kuptohej se mund të kërkonte një sistemim tjetër.

Por Bajern Mynih as që ka ndër mend të lejojë të largohet një nga figurat më përfaqësuese të klubit, përtej kontributit që ka dhënë në këto vite në fushën e lojës. Karl Hainz Rumenige bëri të qartë se ky nuk ishte një opsion që ekzistonte për momentin.

“Raporti me klubin është i paprekur. Tomas është ende një pjesë e rëndësishme e klubit tonë. Për momentin as nuk e imagjinoj dot largimin e tij në janar, të dielën e kaluar kishte një takim ballë për ballë me trajnerin Kovaç. Për ne ai nuk mbetet kurrë një zgjedhje e dytë”, shpjegoi drejtuesi i bavarezëve duke bërë të qartë se për momentin, Myler është i paprekshëm. /vipsport.al/