Ibra i ‘shkel syrin’ skuadrës së Serisë A: Nëse kthehem e bëj për titullin, shënoj 20 gola në sezon

Emri i Zllatan Ibrahimoviç po përmendet gjithnjë e më shumë për një rikthim të tijin në Itali. Sulmuesi, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e tre ekipeve kryesore si Juventusi, Interi dhe Milani duket se ndjen nostalgji për Serinë A.

Suedezi në një intervistë për ‘Gazzeta Dello Sport’, u shpreh se do të dëgjojë të gjitha ofertat për të, ndërsa theksoi se te Bolonja shkon vetëm për hatër të Sinisha Mihajloviç. “ Do i dëgjoj të gjithë. Nëse rikthehem dua të luftoj për maksimumin dhe kjo do të thotë për titullin. Nuk jam një kafshë e kopshtit zoologjik ku njerëzit mund të vijnë të më shohin, mund të bëj ende diferencën. Edhe sot jam në gjendje të shënoj 20 gola. Miku i Sinishës?

Nëse zgjedh të shkoj në Bolonja do ta bëja vetëm për atë. Është e vështirë të ndodhë, por nëse ndryshoj ide atëherë do ta telefonoj menjëherë. Napoli? Është një vend që ka entuziazëm, me mua stadiumi do të ishte përherë plot. Pastaj është edhe Ançeloti. Një trajner i madh”, u shpreh Ibra. /Egi Çabeli-VipSport.al/