I mungojnë lojtarët profesionistë, mes tyre edhe Bare, Malaga kërkon të shtyjë ndeshjen e kampionatit

Klubit të Malagës i takon sipas kalendarit të Segunda Division të zbresë në fushë ditën e premte. Mirëpo, klubi do të bëjë një kërkesë ditën e sotme për të shtyrë ndeshjen ndaj Kadizit pasi në dispozicion ka vetëm 11 futbollistë profesionistë.

Kjo për arsye se shumë prej lojtarëve të ekipit janë grumbulluar me Kombëtaret përkatëse, teksa një pjesë tjetër janë të dëmtuar. Ndërkohë, Liga e Dytë spanjolle nuk parashikohet të ndërpritet gjatë datave të ndeshjeve Kombëtare.

Rregullat tregojnë që një skuadër nuk mund të grumbullojë më shumë se gjashtë lojtarë jo profesionistë. Një problem më vete për Malagën, teksa mes futbollistëve që nuk janë në dispozicion është edhe mesfushori Keidi Bare, i cili i është bashkuar Shqipërisë për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Moldavisë.

/Egi Çabeli-VipSport.al/