I kritikuar dhe i padëshiruar në Superiore, Jorgjit i besohet ndeshje në grupet e Europa League

Enea Jorgji është një nga gjyqtarët më të kritikuar në Shqipëri dhe të shumta janë skuadrat që e kanë shpallur “non-grata” megjithatë ai vazhdon të gjykojë. Nëse në Shqipëri nuk kanë simpati të madhe për të, e kundërta mund të thuhet në Europë duke qenë se UEFA i ka besuar një tjetër ndeshje dhe këtë radhë në grupet e Ligës së Europës.

Ai do të jetë gjyqtar kryesor në takimin mes AZ Alkmarit dhe Astanës, e vlefshme për grupin L, aty ku bëjnë pjesë edhe Mançester Junajtid dhe Partizani i Beogradit. Jorgji do të ndihmohet në këtë takim nga dy asistentët Rejdi Avdo dhe Ridiger Çokaj, teksa Kridens Meta do të jetë gjyqtar i katërt.

Këtë javë, Jorgji gjykoi edhe në Superiore ku ishte gjyqtar në ndeshjen Luftëtari-Bylis, e mbushur me polemika sa i përket një zëvendësimi që bluzinjtë do të kryenin në fund por që nuk u miratua nga Jorgji sepse nuk punonte tabela elektronike. Ndërkohë, Kridens Meta ishte kryesor në ndeshjen mes Skënderbeut dhe Kukësit, ku në fund u përgëzua nga Ilir Daja. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories