Hysaj te Roma në janar, dy kushte për të konkretizuar transferimin e shkodranit në kryeqytetin italian

Elseid Hysaj është kthyer sërish në një emër të nxehtë të merkatos italiane, teksa ka përfunduar në radarët e Romës. Në këtë pikë të sezonit është i pamundur transferimi, por në janar mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka një mundësi për t’u transferuar në kryeqytet. Kjo pasi verdhekuqtë kanë marrë lajmin e dëmtimit të Zapakostës, i cili mbulon të njëjtin rol në fushë ashtu si Hysaj.

Por, për të konkretizuar kalimin e shkodranit në kryeqytetin italian duhet të plotësohen të paktën dy kushte. Kështu, bëhet fjalë fillimisht që Napoli të ulë pretendimet për Hysajn, nga 20 milionë euro në vetëm 10 milionë.

Mbetet për t’u parë disponueshmëria e të kaltërve në këtë aspekt. Ndërsa, kushti i dytë është që Zapakosta, i cili pritet të riaftësohet në muajin shkurt, të kthehet në skuadrën e Çelsit, pasi tek Roma ka mbërritur me formulën e huazimit. Ndërkohë, nga skuadra e Romës në merkaton e janarit mund të largohet edhe Santon. Kështu, hapësira do të ishte e gjitha për Elseid Hysajn.

/Egi Çabeli-VipSport.al/