Holandezët tregojnë prapaskenat e debutimit: Selahin e telefonoi papritur Kosova

Ato pak minuta në fushën e lojës në fundin e ndeshjes kundër Moldavisë, kanë vendosur përfundimisht të ardhmen e Lindon Selahit. Mesfushori i talentuar nga Kumanova po shkëlqen me Tuente por kishte mbërritur momenti të merrte vendimin e rëndësishëm për të ardhmen e tij.

Atë e ka zgjidhur përfundimisht Edi Reja duke e hedhur në fushë në mbyllje të ndeshjes ndaj Moldavisë. Ishte vetëm minuta e 89 e ndeshjes, aq sa duhej për të bërë një xhiro me fanellën e Shqipërisë dhe për të mbyllur çdo diskutim se për kë do të luajë në karrierën e tij djaloshi. Në Holandë janë të sigurt se veprimi i teknikut ka ardhur nga fakti se Selahi po monitorohej nga dy përfaqësuese të tjera dhe është vendosur që të “digjet”.

“Tubantia.nl” tregon se Federata Belge, meqë Selahi është rritur në Belgjikë, kishte filluar të interesohej për të, prej disa kohësh. Por telefonata që i erdhi papritur ishte ajo e Kosovës, e cila kishte kërkuar shërbimet e tij, meqë deri tani kishte luajtur vetëm me Shqipërinë U21. Selahi kishte hamendësuar gjatë javëve të fundit se çfarë do të bënte, por grumbullimi me Shqipërinë dhe pastaj aktivizimi i tij në Moldavi i kishte mbyllur dyert çdo lloj alternative tjetër. /E.Kuka/vipsport.al/