Hetimi i UEFA-s ndaj Turqisë, në rast përjashtimi mund të përfitojë… Greqia

UEFA ka hapur zyrtarisht një hetim rreth përshëndetjes ushtarake të futbollistëve turq në ndeshjet kundër Shqipërisë dhe Francës, duke i cilësuar ato si një gjest politik të papranueshëm. Hetimi disiplinor është ende në fazat e para dhe UEFA nuk ka vendosur ende as datën kur do të shqyrtohet çështja për të cilën janë në mënyrë të veçantë të interesuara dy shtete, Shqipëria dhe Greqia.

Një përjashtim i mundshëm i Turqisë, nëse arrihet në vendimin ekstrem, do të bënte që skuadra e tretë në grup të kualifikohej dhe për këtë në garë janë ende kuqezinjtë bashkë me Islandën, edhe pse kjo e fundit mban vendin e dytë aktualisht me 3 pikë më shumë se skuadra e drejtuar nga Reja. Me pikë të barabarta, golavarazhi ndihmon Shqipërinë që shpreson ta bëjë realitet ngjitjen në këtë pozicion e të shkojë në Europian.

Por nëse është Islanda ajo që mban deri në fund vendin e tretë dhe shkon në Europian, e jo në play-off si i takon falë pejsëmarrjes në Ligën e Kombeve, atëherë ky skenar do të haptë një dritë të gjelbër për Greqinë, e cila do ta shihte veten në mënyrë të papritur si pjesëmarrëse në play-off vitin e ardhshëm. Edhe Greqia doli i treta në grupin e saj në Ligën e Kombeve e si rrjedhojë humbi mundësinë matematike që të ishte pjesë e play-off për Ligën e Kombeve, ndërsa nëpërmjet eliminatore as që ishte ndonjëherë në garë në grupin e saj. Kalimi i Islandës direkt në Europian do të hapte një tjetër mundësi për Greqinë, pasi lirohej një vend në play-off të Ligës së Kombeve, ku ajo renditet në klasifikimin përgjithshëm e para në radhë mes përfituesve pikërisht para Shqipërisë.

Kjo është aryseja se pse çështja e festimit turk ka pasur shumë jehonë në mediat greke të cilat qartësisht janë pozicionuar pro dënimit të palës turke, duke shpresuar njëkohësisht që edhe Shqipëria të mos bëjë mrekullinë në ndeshjet e mbetura duke i rrëmbyer vendin e tretë Islandës. /E.Kuka/vipsport.al/