Gyndogan mbron “like” te postimi me nderim ushtarak të Tosun: Jam kundër luftës dhe terrorit

Nderimi ushtarak i futbollistëve turq pas golit të shënuar kundër Shqipërisë, është kthyer në temë diskutimi në gjithë botën dhe padyshim polemikash. Në të janë përfshirë edhe dy futbollistët me origjinë turke të përfaqësueses gjermane, Ilkai Gyndogan dhe Emre Xhan, të dy për një “like” në foton që Çenk Tosun postoi pas ndeshjes në rrjetet sociale, me nderimin ushtarak të këtij goli.

Ai u interpretua si qëndrim politik nga futbollisti i Turqisë, por edhe nga dy yjet e Gjermanisë, por Ilkai Gyngodan, protagonist me 2 gola dhe një asist në suksesin 3-0 të Gjermanisë ndaj Estonisë, nuk ngurroi që t’i kundërvihej mediave për qëndrimin që kishin mbajtur ndaj tij.

“Është e pabesueshme se çfarë është shkruar këto ditë për klikime. Unë mendova se po pëlqeja një foton e një miku me të cilin kam jetuar në Mançester, i cili po kalon një periudhë të vështirë te Everton, thuajse nuk po luan, pastaj shënon gol dhe drejtoi ekipin tij drejt fitores.

Pastaj mendoj se rreth 200 mijë njerëz të tjerë i dhanë “like” asaj foto, futbollistë nga e gjithë bota. Por ne u morëm nga të gjithë dhe u krijua kjo histori, është mëkat. Nuk kishte asnjë lloj qëllimi politik pas atij veprimi. Emre dhe unë jemi të dy kundër çdo forme të luftës dhe terrorit, pavarësisht se ku zhvillohet në botë. Kjo është arsyeja se pse ishte vetëm një sinjal mbështetje ndaj një miku”, tha Gyndogan. /vipsport.al/