Goldi Halili del kundër ligjit: Piroteknika nuk është krim dhe as e ndaluar, është art

Tirana është një nga skuadrat pretendente për të fituar titullin kampion në Shqipëri këtë sezon, ndërkohë që kremton edhe 100-vjetorin e themelimit. Ndërkohë, e ftuar në emisionin “Procesi Sportiv”, vajza e presidentit të Tiranës, Goldi Halili u shpreh se çdo ditë duhet të kthehet në festë.

Nuk bëj asgjë më tepër e më pak por jap kontributin tim në kuadrin familjar, për të mbështetur atë që është pjesë e ADN-së time që është Tirana.

Ne këtë vit jemi në kuadër të 100-vjetorit ndaj gjithë viti duhej të ishte festë, nuk kam bërë asgjë më tepër se çfarë kanë pasur dëshirë në klub. Te ne qeshet shumë punohet fort e harmoninë brenda grupit duam ta tregojmë dhe jashtë.

Partizanit nuk i kam zili asgjë jam rritur me parimin të mos shoh më larg se pragu i derës time, zili nuk i kam, por sigurisht shembull ku ka për të marrë merret, ne nuk kërkojmë lojtarë brenda terrenit shqiptar.

Trukimet? Po hezitoja të flisja sepse nuk mund të shtoj gjëra me shumë vlerë. Unë e lidh çdo gjë me Tiranën dhe herë pas here jemi goditur nga faktorë të jashtëm por kjo nuk na e ka zbehur shkëlqimin. Duhet të shohim para dhe të mos humbasë shkëlqimi i kampionatit. Historia përsëritet por nga e shkuara mësohet. Ka vend për të bërë para dhe unë mendoj pozitivisht që të atrakoj atë pozitivitet.

Goldi presidente? Kam marrë një drejtim tjetër edhe pse jam rritur me sport. Nuk e shoh veten si presidente dhe vëllai im do t’i jepte përgjigje. Unë po e jap kontributin tim dhe po eci me ta. Nuk e hedh poshtë punën e babait por ka vend për përmirësim. Ka karakter të fortë dhe ka interesin e Tiranës primar. Nuk do të bëja dot asgjë më shumë.

Në derbin ndaj Partizanit ishte ideuar koreografia me mjetet piroteknike dhe nuk janë të ndaluara. Ato nuk janë krim por janë një art. Ne nuk bëjmë ndasi mes “Tirona Fanatics” apo “Capital Crew” duke qenë se të gjithë jemi për Tiranën. Në Norvegji është edhe me ligj që mund të bëhet kërkesa nëse ke një koreografi me flakadanë dhe mund të miratohet. Kjo gjë mund të bëhet edhe këtu duke parë kërkesat e shumta në lidhje me koreografitë me flakadanë”, tha Halili. /VipSport.al/