Gasperini tregon “borxhin” ndaj Guardiolës pas vitit të errët te Interi: Person i jashtëzakonshëm!

Xhan Piero Gasperini do të ketë një tjetër provë të vështirë për Atalantën e tij në Ligën e Kampioneve. Skuadra e ka nisur si mos më keq turneun me dy humbje dhe tashmë vetëm një mrekulli mund ta kalojë më tej në këtë aktivitet ku debuton. Sigurisht, gjërat nuk do të bëhen më të thjeshta në vijim, pasi ekipi italian përballet dy herë me Mançester Sitin, mes favoritëve për fitoren e trofeut, e që drejtohet nga një trajner që Gasperini respekton shumë.

Trajneri i Atalantës ka treguar në konferencën për shtyp para ndeshjes se vlerësimi për Guardiolën është përtej faktit se spanjolli është një prej trajnerëve më fitimtarë në qarkullim prej pak më shumë se një dekade.

“Dua të them se Guaridola është një person i jashtëzakonshëm, përtej trajnerit. Ka bërë një gjest që nuk më kishte ndodhur asnjëherë, tashmë 8 vite më parë. Kur u largova nga Interi, më telefonoi nëpërmjet ndihmësit Estiarte, me të cilin njiheshim që nga vitet te Peskara dhe më ftoi në Barcelonë për të qëndruar disa ditë me ta. Për mua ai ishte një gjest i jashtëzakonshëm, me ndjeshmëri të madhe pasi në atë moment më dhuroi diçka të bukur. E vlerësoj shumë edhe për këtë fakt”, tregoi Gasperini kontaktin e tij të mëparshëm me trajnerin e klubit katalanas. /vipsport.al/