FOTO + VIDEO / Luftë në rrjet! Në Kosovë “djeg” humbja e Shpresave, nga “Bushi bir k****” te “pse festuat”

Humbja e Kosovës përballë përfaqësueses U21 të Shqipërisë është kthyer brenda pak orësh në objekti polemikash. Tifozët kosovarë me sa duket pritnin një dhuratë nga kuqezinjtë pasi në rrjetet sociale ka filluar në çast debati nëse Shqipëria duhej të kishte dhënë maksimumin e saj në fushën e lojës.

Tifozët e shumtë nuk kanë kursyer kritikat ndaj Shqipërisë që i hoqi mundësinë Kosovës të vazhdonte të ishte në pozita komode në klasifikimin e grupit dhe të synonte kalimin në Europian. Debate që kanë përfshirë jo vetëm tifozë të thjeshtë. Edhe futbollisti i Ferizajt, Taulant Dajaku, është përfshirë në këtë diskutim.

“Danimarka e Suedia s’janë asgjë mes vete ama fiqir’ kanë edhe dukeshin si vëllezër atëherë (në një kampionat europian)…e NE jemi vëllezër don a s’don ndokush ama meqë fiqir’ s’kemi i bie që gropën njëri-tjetrit ja bëjmë… #Bushi një bir k**** me kollare”, ishte postimi i tij në rrjetet sociale.

Gjakrat janë nxehur më pas kur FSHF ka publikuar videon e festimit të futbollistëve në dhomat e zhveshjeve në faqen e saj në Facebook. Tifozët, mes të cilëve edhe emra të njohur si ish-drejtuesi i Plisave, Albert Kastrati, e kanë cilësuar të pakuptimtë festimin për këtë sukses.

Komentet u shpërndanë me shpejtësi në portalet kosovare, ndoshta duke harruar disi se në verën e vitit të kaluar, kur përfaqësuesja e Kosovës mundte në miqësore Shqipërinë me shifrat 3-0, të njëjtat portale shpërndanin festimet e “Dardanëve”, përfshirë edhe komentet e vetë lojtarëve të Kosovës.

Me pak fjalë, dueli i cili i mbijetoi deri diku tensioneve në fushën e lojës, është nxehur pas përfundimit të tij, duke u kthyer në një luftë të mirëfilltë në rrjetet sociale e duke vërtetuar se tashmë rivaliteti përjashton përfundimisht që duelet mes dy përfaqësueseve të cilësohen si “vëllazërore”. /vipsport.al/