FOTO / Tre titullarë kuqezi rrezikojnë sot pezullimin, edhe Reja mes të ndëshkuarve

Futbollistët e përfaqësueses shqiptare të futbollit duhet të jenë të kujdesshëm me kartonët e verdhë, pasi në 7 ndeshjet e deritanishme në eliminatoret e Europianit janë ndëshkuar me 20 kartonë të verdhë.

Gjashtë të tillë u morën vetëm në ndeshjen me Turqinë, duke komplikuar kësisoj situatën sidomos të tre lojtarëve në veçanti, të cilët u ndëshkuan me të dytin e eliminatoreve e kësisoj rrezikojnë të mungojnë një ndeshje nëse gjyqtari anglez Kavanah i ndëshkon edhe sot përballë Moldavisë.

Kastriot Dermaku, Amir Abrashi dhe Klaus Gjasula, të tre titullarë të zakonshëm dhe ndër emrat e preferuar të trajnerit Edoardo Reja, janë në kuotën e dy kartonëve të verdhë dhe nëse marrin të tretin, mungojnë në takimin e radhës. Gjithsesi, duke llogaritur se ndeshja e radhës është ndaj Andorrës, për trajnerin nuk do të ishte edhe aq shumë problem nëse sakrifikonte ndonjë prej këtyre lojtarëve, që ta kishte në dispozicion pa telashe ndaj Francës në duelin e fundit.

Me dy kartonë të verdhë është edhe Taulant Xhaka, por ai është jashtë listës së grumbulluarve për momentin dhe nuk përbën këtë lloj shqetësimi për Rejan, i cili u beson më shumë emrave të tjerë.

Ndërkohë, me nga një karton janë Bare, Çikalleshi, Gjimshiti. Ismajli, Memushaj, Ramadani, Roshi, Strakosha, Veseli dhe vetë Reja, pa harruar këtu edhe të tërhequrin Basha apo Balliun që mungon në këtë grumbullim. /vipsport.al/