Festimi ushtarak i Turqisë censurohet në Francë: Donim ta hiqnim, por e panë 80 mijë tifozë

Turqia është kthyer në skuadrën që krijon më shumë polemika dhe ashtu si në ndeshjen ndaj Shqipërisë ku të gjithë festuan ushtarakisht, edhe në Francë bënë të njëjtin veprim. Megjithatë, ndryshe nga ndeshja në Stamboll, francezët ishin të kujdesshëm dhe momenti i festimit nuk u transmetua në TV.

Megjithatë, fotoreporterët kanë arritur të shkrepin foto nga ky moment dhe menjëherë, fotot janë bërë virale në rrjetet sociale. Të pranishëm në stadium, ishin plot 80 mijë tifozë duke qenë se ishte “Sold Out” ndërsa në Francë shprehen se e kanë censuruar për shkak të mesazhit politik që përcjell.

Sakaq, edhe UEFA e thotë qartë që momente të pakëndshme në ndeshje futbolli, duhet të censurohen vazhdimisht. Ndeshja transmetohej në TV dhe M6 synonte që të shmangte përshëndetjen. “Ekziston një sërë specifikimesh nga UEFA, në të cilën kërkohet të mos transmetojë asnjë shenjë apo banderolë me mesazhe politike. Në këtë rast, përshëndetja e parë është bërë pas golit turk, aty ku u përsërit vetëm goli. Përshëndetja e dytë u bë pas përfundimit të ndeshjes në kohën kur ne ishim në intervistë me lojtarët”, shprehen francezët. /Erjon Allaraj-VipSport.al/