Ferrero lë në pritje De Biazin, ëndrra e tij në duart e dy ish-trajnerëve të Romës

Sampdoria ka mbetur pa trajner duke qenë se nga rezultatet e dobëta që kishte në këtë fillim sezoni, ka shkarkuar nga detyra Eusebio Di Françeskon. Vendin e tij, mund ta zërë me shumë gjasa Xhani De Biazi, megjithatë ende nuk është vendosur asgjë dhe ish-tekniku i Kombëtares duhet që të rrijë disa ditë në pritje.

Presidenti Ferrero, synon që të marrë një trajner me eksperiencë në kampionatin italian dhe dëshirë primare mbetet Rudi Garsia. Ky i fundit, ende nuk e ka dhënë një përgjigje përfundimtare megjithatë mediat italiane raportojnë se duke parë situatën në të cilën ndodhet klubi, Garsia mund të refuzojë propozimin e Sampdorias.

Ndërkohë, një tjetër emër në listë është ai i Klaudio Ranierit. Klubi nga Xhenoa do të tentojë sot trajnerin që bëri histori në Angli me Leisterin dhe nëse as ky i fundit nuk pranon të ulet në stol, atëherë do të vendoset mes Xhuzepe Iakinit dhe Xhani De Biazit, ku ky i fundit me shumë gjasa mund të marrë drejtimin. /Erjon Allaraj-VipSport.al/