EKSKLUZIVE / Zbulohet kandidatura e Superkupës së Europës në “Arenën Kombëtare”

Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka hequr dorë nga ideja për të zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare” një ndeshje të Superkupës së Europës. FSHF kandidoi dy herë me projektin e stadiumit të ri në kryeqytet, por pa arritur ta bënte realitet, edhe për faktin se UEFA asnjëherë më parë nuk kishte caktuar një sfidë të tillë në një stadium që ishte ende për t’u ndërtuar.

FSHF kandidoi për edicionet e viteve 2019 dhe 2020, por ato nuk u morën parash nga UEFA e cila bëri zgjedhje të tjera. Por në institucionin e futbollit nuk kanë hequr dorë. Vip Sport ka mësuar nga burime në FSHF se pasi u vendos të mos aplikohej për edicionin e vitit 2021, një gjë e tillë nuk do të ndodhë as më atë të vitit 2022.

Të njëjtat burime tregojnë për Vip Sport se FSHF ka aplikuar që tani me objektiv për edicionin e vitit 2023, duke synuar që të sjellë atëherë në kryeqytetin shqiptar duelin mes skuadrave fituese të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës. Mësohet se edhe në atë edicion do të ketë konkurrencë të fortë, pasi në garë do të jenë edhe stadiume në Bjellorusisë, Finlandë dhe Rusi. Faza e parë është ajo e paraqitjes së kërkesës zyrtare, ndërsa pas miratimit nga Komiteti ekzekutiv i UEFA-s për kandidaturat, FSHF do të duhet të dërgojë dosjen e plotë të projektit për zhvillimin  ndeshjes në kryeqytetin shqiptar. /E.Kuka/vipsport.al/