Ekskluzive/ Jeta e re e Ballist Morinës: Sa më pak të lidhet emri im me dronet, aq më mirë është

Si sot 5 vite më parë, Shqipëria luante në Serbi, në një ndeshje ku autoritetet serbe ndaluan çdo simbol shqiptar, ndaluan tifozët, vërshëllyen himnin dhe tentuan të ishin Zot në fushë. Gjithçka dukej se po shkonte mirë në fushë, me kuqezinjtë që po sulmonin pavarësisht vërshëllimave dhe sharjeve nga tifozeria serbe.

Në minutën e 42 të ndeshjes, në stadium shfaqet “AUTOCHTHONOUS”, një flamur me hartën e Shqipërisë etnike ku krah hartës, kishte portretin e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Kjo kryevepër që bëri krenar popullin shqiptar dhe ndihmoi Kombëtaren të shkonte në Europian, ishte një shpikje e Ballist Morinës!

Sot, 5 vite më vonë, Ballist Morina ka rrëfyer ekskluzivisht për “VipSport.al” historinë e tij, teksa pranon se nuk ka dëshirë që dronet në fushë, të lidhen me emrin e tij. Sa i përket Shqipërisë, ai shprehet se ka treguar se çfarë mund të bëjë, por pyetja e tij është: Çfarë mund të bëjë Shqipëria?

Shqiptarët të duan dhe tashmë po të shohin si hero të gjallë. Po familja jote, si ndihet?
Familja ndjehet krenare dhe shumë solidë kanë qenë në momentet kur vuaja përndjekjet dhe më duhet ta pranoj që në një far mënyra kam qenë i privilegjuar në familjen në të cilën bëj pjesë!

Pak ditë më parë u ul një dron në Europa League. A mendon se je kthyer në frymëzim edhe për të huajt?
Ne lidhje me shfaqjen e fundit me dron në Europa League nuk dua ta komentoj por dua të them se sa më pak të ndërlidhet emri i im me dron aq më mirë do ndihesha!

Çfarë është në gjendje Ballisti të bëjë tjetër për Shqipërinë?
Unë veç kam bërë për Shqipërinë dhe Kombëtaren shqiptare e nuk kam pse të shfrenoj më shumë fantazinë në këtë drejtim por pyetja, mendoj se do të ishte: Çfarë janë në gjendje të tjerët të bëjnë për Shqipërinë dhe çfarë është në gjendje Shqipëria të bëjë për fëmijët e saj?

/Erjon Allaraj-VipSport.al/

Intervista