Edi Reja ndryshon programin për Kombëtaren, futbollistët “i shpëtojnë” seancës stërvitore

Kombëtarja shqiptare ndodhet e grumbulluar në Durrës, aty ku në kompleksin “Tropikal” po zhvillojnë përgatitjet për ndeshjet ndaj Turqisë dhe Moldavisë. Kuqezinjtë synojnë që të marrin rezultate pozitive në këto dy takime, duke shpresuar për të prerë një biletë për në finalet e Europianit të vitit të ardhshëm.

Këto ditë, kuqezinjtë kanë zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë ndërkohë që trajneri Edi Reja ka bërë një ndryshim ditën e sotme. Paradite, nuk do të ketë seancë stërvitore por një analizë nga tekniku i Kombëtares dhe ndihmësit e tij së bashku me futbollistët.

Skuadra do të dalë në stërvitje vetëm pasdite në kompleksin “Tropikal”, ndërkohë që pritet që nesër të udhëtojë në drejtim të Turqisë ku edhe do të zhvillojë stërvitjen e fundit para ndeshjes me kombëtaren turke që luhet të premten. /Erjon Allaraj-VipSport.al/