E sulmoi për çështje financash, Aubamejang i përgjigjet drejtorit të Dortmundit: Je një kloun, e mban mend Dembelen?

Ditët e fundit është hapur një polemikë mes Pierre Emerik Aubamejang dhe drejtorit të Dortmund, Hans Hoakim Vatzke. Drejtori i verdhezinjve ka thumbuar gabonezin për largimin nga gjermanët, teksa është shprehur se sulmuesi po bën mirë te Arsenali dhe se duhet të jetë i kënaqur kur i hedh sytë nga llogaria e tij bankare.

Por, të martën dhe të mërkurën duhet ta shohë Champions League nga televizori në shtëpi, dhe kjo me siguri e trishton. Por, përgjigja e Aubamejang nuk ka vonuar, ndërsa lojtari thekson se nëse bëhet fjalë për paratë, atëherë është drejtori i Dortmundit që mendon më shumë për to.

“ Është më mirë për ty fakti që nuk fola asnjëherë për arsyen e vërtetë pse u largova nga Dortmundi. Zoti Vatzke je një kloun. Më kujtohet kur the se nuk do ta shesim Dembelen, por më pas pe më shumë se 100 milionë dhe ishe i pari që pranove lekët. Mos fol për para të lutem. Më le të qetë të lutem”, ishin fjalët e Aubamejang.

/Egi Çabeli-VipSport.al/