Dy të padëshiruarit për Pogba, Juventus nuk heq dorë për rikthimin e francezit

Edhe pse merkato është mbyllur, zërat rreth të ardhmes së Pol Pogba nuk kanë ndërmend të shuhen. Francezi, përveç periudhës së vështirë në fushë ku është kontestuar nga tifozët si një nga përgjegjësit kryesorë për dështimet e skuadrës, ka marrë edhe një refuzim nga klubi për rritjen e pagës sezonale.

Mesfushori kërkonte 30 milionë euro, por drejtuesit e Junajtid nuk pranuan të plotësonin dëshirën e lojtarit. Kështu, një tjetër pakënaqësi është shtuar në listën e Pogba. Ndërsa, në merkaton e janarit duket se nga situata do të kërkojë të përfitojë Juventusi. Bardhezinjtë nuk kanë hequr dorë nga mendimi për ta rikthyer në Torino, teksa drejt Anglisë mund të niset Mario Manxukiç dhe Emre Xhan.

Dy të padëshiruar nga trajneri Sarri, i cili i ka lënë edhe jashtë listës së Champions League. Megjithatë, për të transferuar Pogba nuk do të mjaftojë vetëm mesfushori me sulmuesin, por edhe një sasi e konsiderueshme në kesh.

/Egi Çabeli-VipSport.al/