Dy sulmuesit e ndeshjes së parë dhe Çalhanollu, zbulohet formacioni i Turqisë

Senjol Gynesh i kthehet të kaluarës dhe taktikës që ka funksionuar një herë kundër Shqipërisë. Trajneri i përfaqësueses turke me sa duket do t’i besojë në ndeshjen e të premtes protagonistëve të sfidës së parë mes Shqipërisë dhe Turqisë, atë që miqtë fituan me shifrat 2-0 në Shkodër dhe i dha fund epokës Panuçi.

Sipas mediave turke, trajneri do të hedhë përsëri në fushën e lojës një rreshtim 4-4-2, ku në majën e sulmit do të jetë dyshja Jillmaz-Tosun. Në fakt, të dy nuk kanë luajtur bashkë në këto eliminatore asnjëherë tjetër përveçse në dy ndeshjet e para në mars, ato kundër Shqipërisë dhe Moldavisë, që sollën dy fitore për përfaqësuesen e drejtuar nga Gynesh.

Trajneri pritet t’i kthehet atij rreshtimi, duke u vendosur pas krahëve si organizator futbollistin e Milanit, Çalhanollu, për të pasur sa më shumë fantazi në këtë duel. Në këtë mënyrë, Gynesh shpreson që të vërë sa më shumë në vështirësi prapavijën e ngjeshur kuqezi dhe të thyejë skemën 3-5-2 të Rejas. /vipsport.al/