Dy muaj larg fushave, kapiteni i Laçit mbyll vitin me ndërhyrje kirurgjikale

Mbaron në mënyrën më të keqe rekordi i Eglantin Gjonit, kapitenit të skuadrës së Laçit dhe një nga pikave të forta të skuadrës së trajnerit Sulejman Starova. Në takimin e 57-të radhazi që nga viti 2018, Gjoni dëmtohet në krah, pikërisht në sfidën me Bylisin që përfundoi 0-0.

Lojtari në minutën e 70-të në një dyluftim thyen krahun dhe del me barelë. Futbollisti, madje nuk është mbajtur në spitalin e qytetit të Laçit, por është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak. Mësohet se do të qëndrojë të paktën dy muaj jashtë fushave të lojës.

Natyrisht që dëmtimi i tij i prish jo pak punë trajnerit Sulejman Starova dhe prapavijës bardhezi duke ditur vlerat si lojtar, por edhe eksperiencën që ai fitoi në qendrën e mbrojtjes në radhët e skuadrës kurbinase.

E.S./Vipsport.al/