Duro: Na erdhi një situatë e paparashikuar, Skënderbeu nuk e ka presionin që kemi ne

Shpëtim Duro u shpreh pas ndeshjes ndaj Skënderbeut se skuadra e tij u ndëshkua nga mungesat, aty ku Limaj dhe Et’hemi nuk ishin në gjendje të mirë por edhe Rroca mungoi. Ndërkohë për “Supersport”, ai shtoi se skuadra e tij duhet të krijojë më shumë.

“Në 24 orët e fundit kishim një situatë të paparashikuar. Kjo u pa edhe në lojë pasi Limaj ishte me 40 deri në momentet e fundit dhe nuk ishte për lojë. Pastaj u pa që nuk ishte në nivelin e duhur por ashtu edhe Et’hemi. Edhe Rroca ka ikur sot nga grumbullimi për arsye personale dhe kjo ndihet në interpretimin e lojës.

Sulmi? Janë 3 futbollistë dhe loja interpretohet nga mesfusha. Janë Et’hemi e Limaj që jashtëzakonisht i kisha jashtë kondicionit. Ndihet mungesa edhe në finalizim sepse këto e ndërtojnë lojën. As unë vetë nuk jam i kënaqur.

Hap fals? Sigurisht që ngarkesa jonë ishte e madhe pasi Skënderbeu nuk është në presionin tonë. barazimi është më i mirë se humbja por në 24 orë kishim shumë mungesa dhe ndikuan në nivelin e lojës. E rëndësishme është që duhet të reagojmë dhe kemi me Luftëtarin ndeshje. Çdo gjë është e hapur”, tha Duro. /VipSport.al/