Drejtuesi i Tiranës pranon problemet në mbrojtje, Laçi: Statistikat janë kokëforta

Drejtori i klubit të Tiranës, Arbi Laçi, duket se ka ndryshuar mendim për cilësinë e lojtarëve në prapavijën e Tiranës. Nëse disa javë më parë në studion e RTSH ai insistonte se bardheblutë  nuk kishin probleme në prapavijë, sot në “Sport News Plus”, ai ka pranuar se ekipi kishte gjëra për të përmirësuar në këtë aspekt.

“Për momentin jemi në disavantazh me Partizanin se kemi humbur një nga takimet, kemi marrë tre pikë të rëndësishme për të kthyer qetësinë përbrenda se një aspekt që na mungon është përjetimi i brendshëm i mungesës së rezultateve. Arritëm të kthejmë qetësinë, rrezikuam pak, përjetuam me panik e ankth prej Flamurtarin me atë që na ndodhi me barazim në minutën e 92 dhe morëm atë që donim. Në këtë moment është e rëndësishme të marrim pikët, për të marrë gjërat javë pas jave e për të marrë pikët. E rëndësishme është të gabosh sa më pak dhe të shpresojmë që kundërshtarët të ndalen në mënyrë të çuditshme në fusha të ndryshme. Por tani nuk është ende momenti, vetëm dhjetori do të tregojë se kush do të jetë pretendent e kush jo.

Në një diskutim këtë javë me skuadrën përmenda një fakt që 2 pikët që lamë në Vlorë do të jetë një nga gabimet më të mëdha të këtij sezoni dhe do t’i vuajmë se pse i lamë atje. Ajo është një skuadër e rrezikuar është një nga të projektuarit për të zbritur poshtë, është emër i madh. Një pikë na e mori ne, i lamë ne dy e nuk na e mori në fakt. Ndonjëherë edhe duhet të mësohesh me gabimet edhe me pasojat që të mos gabosh më.

Ne shënojmë shumë e duhet të korrigjojmë diçka në prapavijë se statistikat janë kokëforta e tregojnë problemet. Ndoshta duhet të shënojmë më pak e të bëjmë kujdes në prapavijë. Nëse bëjmë këtë, mund të arrijmë ku duhet. Besoj se gjërat do të bëhen se ka kualitet, cilësi e karakter në skuadër”, tha Laçi. /vipsport.al/

more recommended stories