Dovedan beson: Luftëtari ka traditë, Bylisi duhet që të mos gabojë për kreun

Bylisi synon që të mos ndalet as në Gjirokastër. Me një mungesë të vetme të Ditmar Bicajt në formacion, trajneri Dovedan është më optimist se kurrë, ndërsa ka besim se skuadra që ai drejton do të dijë të shfaqet edhe në Gjirokastër me mentalitet fituesi.

Në intervistën e dhënë në prag të transfertës gjirokastrite, trajneri i Bylisit ka folur për ndeshjen e radhës dhe situatën në ekip…. “Kemi punuar mirë dhe jemi munduar që të riparojmë ndonjë defekt që kemi vënë re gjatë rrugës. Sigurisht që javët kalojnë dhe skuadra harmonizohet. Mendoj se ne e kemi kaluar këtë periudhë dhe presim rezultatet e punës”, – tha fillimisht trajneri i Bylisit.

Luftëtari

“Të gjitha ekipet janë të forta. Ne bëjmë punën tonë punojmë gjatë javës dhe në fushë duam më të mirën. Luftëtarin e vlerësojmë e di që është një ekip me traditë që në javët e fundit ka bërë mirë. I kemi marrë të gjitha masat që ne të jemi më mirë se ata në fushën e lojës.”

Objektivi

Në fund, trajneri i Bylisit flet edhe për synimin që ai dhe skuadra kanë në këtë transfertë. “Duhet që të fitojmë në Gjirokastër duke luajtur mirë dhe duke bërë atë që kemi bërë edhe në ndeshjet e tjera”, – tha duke mbyllur prononcimin e tij, trajneri i skuadrës së Bylisit, Vejlko Dovedan.

E.S./Vipsport.al/