Dortmundit i largohet Sanço? Nuk ka problem, verdhezinjtë e kanë gjetur zgjidhjen te sulmuesi shqiptar

Milot Rashica është kthyer në një faktor te skuadra e Verder Bremen. Për fat të keq sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, humbi disa ndeshje në këtë fillimsezoni për shkak të një dëmtimi, megjithatë u rikthye titullar në këtë fundjavë në takimin ndaj Dortmundit. Madje, duke shënuar edhe një gol përballë verdhezinjve.

Në fakt, performanca e Rashicës duket se ka impresionuar drejtuesit e Dortmund të cilët duke njohur edhe ngecjen e negociatave për rinovim të Rashicës me Verder Bremen, kanë filluar të interesohen për 23-vjeçarin. Në fakt, menaxheri i Rashicës, Altin Lala, është shprehur se futbollisti është gati për një hap më të madh dhe të jetë pjesë e një ekipi që luan në Champions League.

Kritere të cilat i përmbush më së miri Dortmundi. Në merkaton e ardhshme, verdhezinjtë mund të humbasin Sançon dhe Rashica do të ishte alternativa perfekte për të zëvendësuar anglezin. Megjithatë, për hapa konkretë është ende herët, pasi në fillim Rashica duhet të ruajë nivelin e paraqitjeve, pasi për të pritshmëritë janë të jashtëzakonshme.

/Egi Çabeli-VipSport.al/