Dhuna në stadiumet shqiptare/ Ditën e sotme hyn në fuqi ligji, dënim me burg edhe për flakadanët

Ishte përfolur prej kohësh hartimi i një ligji i cili të bënte të mundur ndalimin e dhunës në stadiumet shqiptare. Dhe, në ditën e sotme ligji ka hyrë në fuqi dhe do të jetë i zbatueshëm për çdo vepër dhune. E gjitha u iniciua pas dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Eldorian Hamiti në sezonin e kaluar në stadiumin e Kamzës. Pas atij episodi, u vendos që masat duhen përforcuar pasi gjendja ishte alarmante. Ndërkaq, momente dhune pati edhe para një jave në derbin e kryeqytetit ku të dyja tifozeritë u konfrontuan me njëra-tjetrën para se të niste ndeshja.

Kështu, me ligjin e ri do të dënohen me burgim nga një deri në tre vite, të gjithë ata të cilët godasin ose shfaqin vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie.

Ndërkohë, masa do të merren edhe për ata persona të paautorizuar të cilët hyjnë në fushë gjatë zhvillimit të aktivitetit sportiv. kjo përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me 50.000 deri në 100.000 lekë. Sakaq, mbajtja apo përdorimi i mjeteve piroteknike, fishekzjarrëve, flakadanëve gjatë zhvillimit të aktivitetit sportiv, dënohet me gjashtë muaj deri në tre vite burgim.

Neni 274/a

Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv

Goditja ose vepra të tjera dhune ndaj sportistit, trajnerit, arbitrit, ndërmjetësit sportiv, për shkak të veprimtarisë sportive, nga persona jashtë kësaj veprimtarie, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në ambiente sportive, më shumë se një herë, apo është kryer nga drejtues apo anëtarë të klubeve sportive, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.

Neni 274/b

Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive

Hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj. Hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.”.