Dhimbje koke për Mezanin, pas Shametit një tjetër prurje nga Superiorja duhet të operohet

Dëmtimet nuk po lënë të qetë Gentian Mezanin që të vijojë punën e tij normalisht në klubin e Gjilanit në Superligën e Kosovës. Trajneri është detyruar që nga problemet fizike të lojtarëve të tij të ndryshojë shpesh planet dhe tashmë do të duhet të bëjë përsëri improvizime për të mbuluar një tjetër boshllëk.

Oltion Rapa, një nga lojtarët e afruar me bujë nga Superiorja gjatë merkatos së verës, do të jetë i detyruar t’i nënshtrohet operacionit. Sipas mediave kosovare, dëmtimi i tij ka rezultuar shumë më i rëndë sesa mendohej dhe ai kërkon një kohë të gjatë riaftësimi. Kështu, Rapa pritet të qëndrojë nga 6 deri në 8 muaj larg fushave të lojës, duke krijuar telashe për teknikun i cili humbet kështu një tjetër element të rëndësishëm, pas Ylli Shametit i cili gjithashtu u dëmtua dhe u detyrua t’i nënshtrohej ndërhyrjeve kirurgjikale.

I vetmi opsion që i mbetet trajnerit të Gjilanit në prapavijë është Franc Veliu, ndërsa do t’i duhet të improvizojë për të plotësuar qendrën e prapavijës në janar, ku ndërhyrja në merkato për të afruar elementë të tjerë duket e domosdoshme. /vipsport.al/