Derbi më i çuditshëm në botë, dy Koretë e mbyllin ndeshjen në… paqe

E vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës në vitin 2022 në Katar, Koreja e Veriut ka mirëpritur në kryeqytetin e saj, Piongjang, Korenë e Jugut. Të dy vendet, nuk kanë pasur marrëdhëniet më të mira fqinjësore, teksa jo në pak raste kanë kërcënuar njëra-tjetrën. Një derbi i çuditshëm, teksa edhe pse të dy vendet i kanë ulur tensionet sërish nuk kanë nënshkruar një marrëveshje paqe.

Megjithatë ndeshja e sotme ka kaluar pa probleme, ndërsa është mbyllur në paqe, me rezultatin e bardhë 0-0. Ndërkohë, duhet përmendur se takimi është zhvilluar nën disa rregulla strikte nga ana e Koresë së Veriut, e cila nuk ka lejuar transmetimin e ndeshjes, asnjë media të huaj nëpër tribuna ndërsa sigurisht nuk mund të kishte asnjë të pranishëm nga tifozin koreano-jugorë.

Ndërkaq, ky nuk është precendenti i parë që dy ekipet përballen ndaj njëra-tjetrës. Dy takimet e mëparshme të Koresë së Veriut ndaj asaj të Jugut janë zhvilluar në Shangai. Por, ky i ditës së sotme ishte rasti i dytë që Veriu priste në shtëpi Jugun prej herës së fundit në vitin 1990. Një derbi i çuditshëm, në të gjithë përmasat, megjithatë futbolli ia doli të lërë mënjanë trazirat e politikës.

/Egi Çabeli-VipSport.al/